Analisti Evarist Beqiraj, i ftuar në MCN Informacion, lidhur me skandalin e korrupsionit që përfshin drejtues të AKSHI-t, foli për rrezikun serioz që kjo ngjarje paraqet për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e të dhënave shtetërore.
Sipas tij, edhe pse disa informacione kanë dalë në media, situata kërkon kohë për t’u zbardhur plotësisht, ndërsa ajo që dihet deri tani është tejet alarmante.
“Ne kemi parë disa gjëra që kanë dalë në media, por duhet ti lëmë kohë. Është një institucionet më të rëndësishme dhe kur dëgjojmë që data base janë në dorë të krimit të organizuar, është jashtëzakonisht sensitive dhe duhet nxjerrë mësime. Me çfarë ka dalë deri tani është jashtëzakonisht e rëndë situata.
Këtu kemi të bëjmë me cënim të sigurisë kombëtare. Sot të gjitha bizneset janë në garë për të marrë të dhënat tona, por kur futet edhe krimi këtu në lojë, është shumë alarmante dhe duhet të gjitha strukturat të reagojnë në mënyrën e duhur.”
Ndërkohë, analisti Alfred Halilaj, tha se kjo situatë është pasojë e një infrastrukture shtetërore të dështuar, duke theksuar se ekspozimi i të dhënave tregon një krizë të thellë të funksionimit të shtetit dhe mungesë reflektimi politik.
“Infrastruktura shtetërore sot është jashtë funksionit. Ky shtet është në dritë të diellit me çdo të dhënë që duhet ta kishim të mbrojtur dhe është cënuar siguria kombëtare. Këtu skemi më çfarë të diskutojmë për organizimin shtetërorë. Duhet të jemi pak më inkurajues që përgjegjësit të dalin të mbajnë përgjegjësitë. Në çdo vend normal qeveria do të kishte rënë që në ditën e parë, por ne skemi një reflektim demokratik.”
Po ashtu, avokati Ervis Çela, e cilësoi skandalin e AKSHI-t një tjetër kambanë alarmi për gjendjen e shtetit dhe kapjen e administratës publike nga krimi i organizuar, duke nënvizuar se tashmë mbetet vetëm veprimi i drejtësisë.
“Është një ndër kambanat e shumta që ka rënë në këtë vend. Sot jemi në një vend të rënë. Nuk kemi më shpresa që të kemi një politikë të ndershme, por drejtësia ti çojë këta njerëz para drejtësisë. Efektin më të madh e ka sjellë, e gjithë administrata shtetërore janë në dorë të krimit të organizuar. Nuk ka këmbanë më të madhe alarmi, institucionet që janë garant për të dhënat tona personale janë në dorë të krimit.”



