
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë në një konferencë për media, ka folur për emërimin e ministrit të ri të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe drejtorit të AKI-së.
Haradinaj ka thënë se janë në pritje të emrave të rinj për të dyja këto institucione.
“Presim nga AKR emrin e ministritë të ri në vend të Flamur Sefajt”, ka thënë Haradinaj sa i përket emërimit të ministrit të Punëve të Brendshme.
Lidhur me emërimin e shefit të AKI-së, Haradinaj tha se po pret propozimin nga Presidenti dhe se janë në diskutime me të.
Kryeministri po ashtu foli edhe për paralajmërimin e serbëve që deri më 20 prill nuk formohet Asociacioni, ata do ta bëjnë vetë, duke thënë se një gjë e tillë nuk ka efekt juridik.
“Hartimi i statutit të AKS-së duhet të bëhet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin final e jep Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Një trup ka qenë i dakorduar nga Qeveria e mëhershme, ka qenë menaxhmenti, ai e fillon punën që tani, raporton çdo muaj në Bruksel. Këtë statut, ne, qeveria, e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese për të parë a është në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh Haradinaj.



