
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, po rrezikon gjithçka në betejën për marrëveshjen me Greqinë, duke i thënë opozitës se po nuk e mbështetën ndryshimin e emrit në kushtetutë, do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
“Procesi nuk mund të bllokohet. Duhet të ecim përpara”, tha udhëheqësi social demokrat këtë të hënë. “Do ta dimë në pak ditë nëse mund të lidhim marrëveshje me opozitën, për të përshtatur ndryshimet kushtetuese. Zgjedhja tjetër janë zgjedhjet.”
Votuesit që morën pjesë në referendumin e të dielës mbështetën fuqimisht ndryshimin e emrit në “Maqedoni e Veriut”, por pjesëmarrja ishte tepër e ulët, pasi opozita bëri thirrje të mos votohet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja ishte 36.8%, shumë më pak se 50% që nevojitej për ta bërë rezultatin të vlefshëm, edhe pse 91.4% e votave mbështetnin marrëveshjen.
Rezultati i lartë e nxiti Zaevin që të japë ultimatumin, ndërkohë që përpiqet të mbledhë mbështetje për marrëveshjen me Greqinë, që si shpërblim ka BE-në dhe NATO-n.
Sondazhet tregojnë se maqedonasit e mbështesin fort anëtarësimin në NATO dhe BE. “Është një nga çështjet e pakta që ka mirëkuptim të gjerë në të gjithë vendin”, thotë Trosanovski.
Me shqiptarët tashmë në koalicion, Zaevi do të përpiqet të bindë edhe pakicat etnike, turqit, romët, serbët e boshnjakët.



