Njeriu më i vjetër në botë, spanjollja Maria Branyas Morera, e cila lindi në SHBA në vitin 1907 dhe jetoi dy luftëra botërore, ndërroi jetë në moshën 117-vjeçare.

Familja e saj njoftoi se gruaja vdiq në gjumë, e qetë dhe pa dhimbje.

Branyas, e cila ka jetuar për dy dekadat e fundit në shtëpinë e të moshuarve Santa Maria del Tura në qytetin Olot në Spanjën verilindore, kishte paralajmëruar në një postim se ndihej "e dobët".

“Ka ardhur koha. Mos qani, nuk më pëlqejnë lotët. Dhe mbi të gjitha, mos vuani për mua. Kudo që të shkoj do të jem e lumtur”, ka shtuar ajo në postimin në llogarinë e saj, e cila mbahet nga familja e saj.

Rekordet Botërore të Guinness-it e kishin pranuar zyrtarisht statusin e Branyas si personi më i vjetër në botë në janar 2023 pas vdekjes, në moshën 118-vjeçare, të murgeshës franceze Lucile Randon.

Pas vdekjes së Branyas, personi më i vjetër i gjallë në botë është Tomiko Itooka i Japonisë, i cili ka lindur më 23 maj 1908 dhe është 116 vjeç, sipas Grupit Kërkimor të Gerontologjisë në SHBA.

Branyas, e cila jetoi gripin e vitit 1918, luftën e parë dhe të dytë botërore dhe luftën civile të Spanjës, u infektua me Covid-19 në vitin 2020, vetëm disa javë pasi shënoi ditëlindjen e saj të 113-të. Ajo ishte e mbyllur në dhomën e saj në shtëpi, por u shërua plotësisht.

Vajza e saj më e vogël, Rosa Moret, dikur ia atribuoi jetëgjatësinë e nënës së saj "gjenetikës".

“Ajo nuk ka shkuar kurrë në spital, ajo kurrë nuk ka thyer asnjë kockë, është mirë, nuk ka dhimbje”, tha Moret për televizionin rajonal katalanas në vitin 2023.

Branyas lindi në San Francisko më 4 mars 1907, pak pasi familja e saj u zhvendos në SHBA nga Meksika.

E gjithë familja vendosi të kthehej në vendlindje, Spanjë, në vitin 1915, ndërsa Lufta e Parë Botërore po zhvillohej, gjë që ndërlikoi udhëtimin e anijes përtej Atlantikut.

Babai i saj vdiq nga tuberkulozi në fund të udhëtimit dhe arkivoli i tij u hodh në det.

Branyas dhe nëna e saj u vendosën në Barcelonë. Në vitin 1931, pesë vjet para fillimit të luftës civile të Spanjës 1936-39, ajo u martua me një mjek. Çifti jetoi së bashku për katër dekada derisa burri i saj vdiq në moshën 72-vjeçare. Ajo kishte tre fëmijë, duke përfshirë një që tashmë ka vdekur, 11 nipër e mbesa dhe shumë stërnipër.

Manel Esteller, pjesë e një ekipi studiuesish nga Universiteti i Barcelonës që studiuan ADN-në e Branyas për të përcaktuar shkaqet e jetëgjatësisë së saj, i tha gazetës së përditshme spanjolle ABC në tetor 2023 se ishte i befasuar nga shëndeti i saj i mirë.

“Mendja e saj është plotësisht e kthjellët. Ajo kujton me qartësi mbresëlënëse episodet kur ishte vetëm katër vjeç dhe nuk ka asnjë sëmundje kardiovaskulare, e cila është e zakonshme tek të moshuarit. Të vetmet gjëra që ajo ka janë problemet me lëvizjen dhe dëgjimin. Është e pabesueshme”, tha profesori i gjenetikës.

Personi më i vjetër i verifikuar që ka jetuar ndonjëherë ishte Jeanne Louise Calment, një franceze e cila vdiq në vitin 1997 në moshën 122 vjeç e 164 ditë.