Igli Keçi tregon historinë e takimit me gjyshen pas dy vitesh në një nga televizionet shqiptare, pas lirimit nga burgu i Reçit.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, Igli rrëfeu se gjyshja nuk është mirë për shkaqe shëndetësore, edhe pse surpriza që i bëri e lumturoi.

Ai tregoi se tani që ka dalë, po të hapësh telefonin vetëm nga ajo ka thirrje.
Marrëdhënia me gjyshen është shumë e fortë, çdo kohë të lirë e kaloj me të. Jam vetëm punë, studio, me gjyshen.
Jam dënuar për shpërndarje lënde narkotike, plagosje të lehtë me dashje, thyerje e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Në atë moshë që kam qenë unë, se bëhet fjalë nga mosha 15-20 vjeç, kam qenë jashtë rrugës së Zotit, çdo adoleshent nuk mendon shumë për familjen, vepron sipas kokës së tij.
Gjatë kohës që kam qenë në burg, kam pasur kohë të reflektoj dhe t’i mendoj gjërat më mirë. Uroj t’ia shpërblej gjyshes dhe personave që më kanë ndenjur afër.
Mua më ka shtyrë ëndrra që kisha për muzikën, shikoja repera dhe muzikantë të famshëm që ishin të suksesshëm dhe doja ti emitoja.
Unë adhuroja McKreshën dhe nga të huajt Eminem. Pamundësia ekonomike, leku i shpejtë të mashtron, doja të jepja një mesazh për të gjithë të rinjtë që bëjnë një punë të tillë siç e kam bërë unë më parë: të heqin dorë sa më parë, se familja është shumë më e shenjtë se sa leku dhe gjërat materiale.
Nga 100% e shoqërisë që mund të kisha, vetëm 10% kanë ngelur. Nuk kanë dashur të më kenë shokë, se edhe unë nuk iu jepja vëmendjen e duhur.
Në çdo familje është dikush pak i rreptë, për mua ka qenë daja, më shikonte si vëlla të vogël, më kritikonte.
Kur isha i vogël mendoja se nuk më donte, tani e kam kuptuar që e ka pasur për mirë.
Babi emigroi jashtë shtetit për shkak të situatës së keqe ekonomike, para se të ikte u njoh me mamin tim, e mori në shtëpi.
Për shkak të lidhjes në distancë, mami nuk e përballoi dot, vendosën të ndahen.
Mami krijoi familjen e vetë, babi krijoi familjen e vetë dhe për këtë arsye u rrita nga gjyshja. U divrocuan kur isha 3 vjeç.
Nuk kam qenë kurrë i revoltuar, për shkak se gjyshërit nuk më kanë shtyrë kurrë kundër tyre.
Me babin kam pasur më pak raporte, me mamin më shumë. Në ditëlindje më ka munguar prezenca e mamit dhe babit, e një familje të madhe.
Dhuratat nuk më kanë munguar, pasi nuk më linin gjyshërit. Në adoleshencë u largova për tre vite nga shtëpia e dajës, kam jetuar tre vite në garazh.
Në shkollë kam shkuar gjithmonë me qejf, por nuk kam mësuar kurrë. U largova se mendimet e një adoleshenti nuk janë kurrë të sakta dhe mënyra se si duan ti arrijnë nuk janë kurrë të sakta.
Ndoshta ata mund të mos kenë pasur bukë në shtëpi, unë iu kërkoja lekë apo gjëra të tjera, prandaj ika dhe jetova për tre vite në një garazh, kjo ka qenë koha kur isha i rebeluar.
Kisha komunikim vetëm me gjyshen dhe gjyshin. Gjyshja më ka ndenjur afër në ato momente.
Në moshën 18 vjeç kur shpirti im filloi të plaste për të bërë ëndrrën time të muzikës realitet, rashë në burg.
Abuzimi i tepërt me lëndët narkotike nuk të lë që ti të vazhdosh përpara, të komunikosh me njerëzit dhe të jesh ai që je në të vërtetë.
Gjyshja ka qenë në dijeni të jetës sime, me të jam hapur gjithmonë. Ajo më ka folur gjithmonë për mirë dhe më ka shtyrë që ta realizoj ëndrrën time në mënyrën e pastër.
U dënova 8 vite. Takimi i parë me gjyshen në burg ka qenë dhe i bukur dhe i trishtueshëm. Se u ndjeva shumë i pabesë. Ishte e mira se më kishte marrë malli.
Ishte gëzim shpirtëror që dikush të vinte të më takonte në ato kushte. Periudha e pandemisë ka qenë shumë e vështirë, për shkak se nuk lejoheshin takimet.
Gjyshen nuk e kam takuar për dy vite, për shkak se ajo është me paterica dhe nuk lëviz dot.
Kur u dënova me 8 vite burg, uroja vetëm ta gjeja gjyshen gjallë kur të dilja. Kam parë djem të vdisnin në burg, nga mungesa e kushteve, të lahesh në dimër me ujë të ftohtë, të hash grosh 360 ditë të vitit.
Nga burgu vuaj nga ankthi dhe depresioni herë pas here.



