Aktivistët në Zvicër kanë nisur një peticion, qëllimi i të cilit është dëbimi nga vendi i Alina Kabaeva, e dashura e supozuar, e Presidentit rus, Vladimir Putin.
“Koha për të ribashkuar Eva Braun me Fuhrer-in e saj”, thuhet në peticion.
Mbledhja e firmave online tashmë ka arritur në 35 mijë, që është kufiri maksimal i vendosur. “Me gjithë luftën e vazhdueshme, Zvicra vazhdon të presë një bashkëpunëtore të regjimit të Putinit”, shkruajnë kritikët e ish-gjimnastes 38-vjeçare, në mesazhin bashkëngjitur peticionit, të shkruar në gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht.
Media të ndryshme raportuan se Kabaeva qëndronte në një vilë në Zvicër bashkë me katër fëmijët e tyre. Ajo shihet rrallë në publik, por së fundmi u filmua në një video duke kërcyer në Moskë në dhjetor, kur tashmë ekzistonte shqetësimi se Putini mund të sulmonte Ukrainën.
Ne qytetarët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës, e cila aktualisht po përjeton vuajtje të jashtëzakonshme, po bashkohemi për t’iu drejtuar autoriteteve zvicerane. Publiku sapo mësoi se figura politike dhe mediatike ruse dhe ish-sportistja, Alina Kabaeva, fshihet si pasojë e sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse në vendin tuaj. Ajo është gruaja e preferuar e diktatorit delirant dhe kriminelit të luftës që ka sulmuar pabesisht Ukrainën javët e fundit. Pse duke pasur parasysh vëllimin e madh të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, vazhdoni ta mbani bashkë me familjen e saj, ndërkohë që Putin po shkatërron jetët e miliona njerëzve? Është koha për të ribashkuar Eva Braun me Fuhrerin e saj!”
Kështu thuhet në mesazhin në peticionin që kërkon dëbimin e Alinës.
Perëndimi deri më tani nuk e ka sanksionuar Kabaevën, megjithëse përveçse është partnerja e supozuar sekrete e Putinit, ajo është gjithashtu kryetare e bordit të drejtorëve të National Media Group, një gjigant i rëndësishëm televiziv dhe gazetë e lidhur me Kremlinin, me një pagë pothuajse 8 milionë paund në vit.



