Një ditë pas ngjarjes së ndodhur në një shkollë private në rrugën “Don Bosko”, policia ka nisur hetimet dhe ka proceduar penalisht dy persona. Gjashtë nxënës patën simptoma të helmimit, ndërsa morën mjekim në QSUT.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit B. S., 34 vjeç dhe E. D., 36 vjeç”, njoftoi Policia.
Sipas uniformave blu në kryeqytet, në rrugën “Don Bosko”, në ambientet e një shkolle jopublike, këta shtetas kanë vënë në funksionim sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial dhe si rrjedhojë e rrjedhjes së gazit nga depozita e gazit të sistemin të ngrohjes, 6 nxënës të kësaj shkolle kanë patur probleme shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën.



