
Qendra Kombëtare e Iranit për Hapësirën Kibernetike njoftoi përmes një deklarate se Teherani është i gatshëm të dërgojë një ekip teknik në Shqipëri për të hetuar rastin e sulmit kibernetik. Në njoftim hidhet poshtë pretendimi i palës shqiptare se pas sulmeve kibernetike në Shqipëri qëndron Irani.
“Pretendimi i Shqipërisë për të akuzuar Iranin për kryerjen e sulmeve kibernetike është një gënjeshtër e pastër, pasi vetë Republika Islamike e Iranit është ndër viktimat e sulmeve të tilla kundër rrjetit të saj të shpërndarjes së karburantit, terminalit të porteve, sistemit të metrosë dhe objekteve bërthamore”, thuhet në njoftim.
“Jemi përballë një fushate të rëndë politike dhe mediatike, në të cilën jo vetëm rrjetet e infrastrukturës jetike të vendit tonë përballen me sulme kibernetike shkatërruese dhe ata që pretendojnë se hapësira kibernetike duhet të jetë e sigurt dhe e shëndoshë, heshtin për këtë. Vendi (Shqipëria) që është mikpritës i terroristëve kriminalë, të cilët janë vetë përgjegjës për shkaktimin e humbjeve të rënda kundër kombit tonë dhe pranimin e përgjegjësisë, tani po e akuzon pa bazë Iranit për sulme të tilla kibernetike”, shtoi ai.
Për sulmin ndaj AKSHI-t, Qendra Kombëtare për Hapësirën Kibernetike thotë që është pjesë e një skenari ndërmbëtar që ka për qëllim të njollosë padrejtësisht Iranin.
"Ka dokumente dhe prova të mjaftueshme që një skenar ndërkombëtar, i motivuar politikisht, i udhëhequr nga vende që janë vetë pionierë të sulmeve kibernetike, është nisur në një shkallë shumë të gjerë për të akuzuar vendin tonë për sulme të tilla", thuhet në deklaratë.
“Kjo vjen ndërkohë që ata vetë kanë nisur një perandori të madhe të programit të spiunazhit përgjues që është mjaft agresive, duke përfshirë hakerimin, depërtimin në shumicën e projekteve sekrete kombëtare dhe… sulmi i parë kibernetik i së cilës u nis kundër programit bërthamor paqësor të Iranit gjatë viteve të mëparshme në disa faza”, shtoi ai.
Irani paralajmëron se skenaristët e këtij komploti duhet të kenë kujdes, “pasi zinxhiri i gjatë i kriminelëve të përfshirë në këtë komplot janë identifikuar të gjithë dhe do të shqyrtohen me kujdes para se të ndërmerret ndonjë veprim.
Të mërkurën e kaluar, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, me argumentin se hetimet e kryera lidhur me sulmin ndaj AKSHI-t kanë nxjerrë si autorë grupe hakerash të lidhur me Iranin.
Vetëm pak ditë pas dëbimit të stafit të ambasadës iraniane, një sulm tjetër kibernetik ndaj sistemit TIMS krijoi vonesa dhe radhë të gjata në pikat e kalimit kufitar.



