
Kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se ka pasur programim paraprak të pajisjes në votimin elektronik në Kamzë duke favorizuar Rakip Sulin.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Hoxha tha se ka prova filmike dhe shkresore për këtë akuzë të cilat janë depozituar në KAS. Po ashtu Hoxha tha se qeveria ka përdorur forcat RENEA dhe FNSH për të ushtruar presion ndaj kandidatëve të opozitës.
E vetmja mundësi për të marrë Kamzën ishte votimi elektronik, programimi paraprak i rezultatit të zgjedhjeve. E kam sfiduar dhe që të garojmë në 10 qendra dhe nëse ai rezultat do jetë i përafërt me atë të 14 majit, unë i shtrëngoj dorën dhe jap kontributin tim si bashkëqytetar i Kamzës.
Është mision i pamundur për çdo socialist të fitojë në Kamëz, të mundur e bëri vetëm votimi elektronik. Kamza nuk ishte e përzgjedhur në pilotimin e votimit elektronik, por ishte Durrësi, Elbasani dhe Vora. U përzgjodh Kamza se llogaritë nuk i dilnin në asnjë mënyrë, as me presion, as me paratë e tërmetit, as me patronazhistë, as me punësime për fushatë elektorale, as me zhavorr elektoral, as me kontrollet e strukturave tona, as me përdorimin e forcave RENEA dhe FNSH dy ditë para zgjedhjeve, por vetëm me votimin elektronik.
Kemi prova me video, me filmime, dhe me shkresa. Prova që është shkresore dhe e pamundur për të ndodhur është algoritmi, anomalia statistikore që në çdo qendër votimi favorizohej njëri kandidat dhe diskriminohej tjetër.
Pavarësisht se çka kanë votuar qytetarët rezultati ka qenë i paracaktuar dhe kjo argumentohet se në çdo qendër votimi, PD-ja dhe unë si kandidat kisha ulje votash, ndërkohë që kundërshtari kishte shtim votash.
Unë e kam drejtuar me ankesë KAS-it. Në ankesë unë kërkoj caktimin e ekspertëve të pavarur. Pajisjet kanë qenë të paraprogramuara , nuk marr përsipër të them që e ka bërë firma.



