Qeveria italiane i ka dhënë hov një projekti për të shpëtuar fëmijët nga mafia vendase, duke i larguar ata nga familjet mafioze. Së fundmi, mediat fqinje shkruajnë se projekti po shtrihet në Siçili dhe Napoli. Kjo skemë synon të parandalojë fëmijët të ndjekin rrugën kriminale të prindërve, duke thyer ciklin me të cilin pushteti kriminal në familjet mafioze përcillet tek brezat përmes lidhjeve të gjakut dhe besnikërisë familjare, thonë autoritetet vendase.
Pesë ministri italiane dhe kisha katolike kanë bashkuar forcat për t’i dhënë vrull këtij projekti. Skema u themelua fillimisht në Kalabri, në vitin 2012. Ky rajon jugor njihet si shtëpia e Ndrangetës, një ndër mafiet më të fuqishme në Evropë. Mediat fqinje shkruajnë se projekti do të shtrihet tani edhe në dy bastionet e tjera kryesore të krimit të organizuar të vendit: Sicili, shtëpia e Cosa Nostra dhe në Napoli - shtëpia e Camorrës.
Gjyqtari që nisi këtë projekt të emërtuar “I lirë për të zgjedhur”, një dekadë më parë, thotë se ka fëmijë që mësojnë të qëllojnë me armë që në moshën tetë vjeçare.
“Kam parë raste të fëmijëve të detyruar të vrasin nënat e tyre për të mbrojtur nderin e familjes. Por kam pasur shumë raste fëmijësh që shpresojnë për një jetë ndryshe. Që nga fillimi i skemës, rreth 150 fëmijë janë zhvendosur në familje kujdestare ose në komunitete në vende sekrete në të gjithë vendin, ku ata mësojnë për jetën përtej klaneve. 30 nëna kanë zgjedhur të ndjekin fëmijët. Edhe bosë të rëndësishëm të mafias janë bërë bashkëpunëtorë të shtetit për të mbrojtur fëmijët e tyre. Marr letra nga mafiozët e burgosur që na falënderojnë që po ndihmojmë për shpëtimin e fëmijëve të tyre.”, tha gjykatësi italian, Roberto di Bela.
Ekspertët vendas për çështjet e krimit të organizuar thonë se gratë kanë një rol vendimtar në këtë skemë. Bindja e tyre se zinxhiri mund të thyhet dhe fëmija do të jetë i lirë të ndjekë ëndërrat e veta është një nga sfidat që kanë ekspertët e fushës.



