Kreu i sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajramaj, paralajmëron protesta javën që vjen, për shkak të pagave të ulëta dhe orëve shtesë.
Duke folur për MCN Live, ai thotë se kanë pasur një sinjal nga ministria e Brendshme për gjetjen e zgjidhjes, por shtoi se procedurat zgjasin.
“Protesta jonë nuk duhet të merret si politike. Zjarrfikësit kërkojnë rritjen e pagës. Priten dhe orët e natës të paguhen dhe orët shtesë që zjarrfikësit i bëjnë, si dhe 24 orëshi i punës. Është me ligj që 200 orë punë në vit të bëjnë zjarrfikësit. Vlora 200 orë i kishte bërë para vere, po kur erdhi vera, zjarrfikësit e Vlorës kishin 10 ditë që rrinin në mal, kjo është shërbim gatishmërie e përhershme, si për Vit të Ri, si për festa. Zjarrfikësit i kanë marrë orët shtesë, por me probleme, duhet urdhër i kryetarit të bashkisë. Paga për zjarrfikësin bazohet në gradat, vitet e punës. Oficerët 500 mijë lekë të vjetra marrin. Vështirësia e punës e ka 70 mijë lekë të vjetra, sa një polic qarkullimi, por vështirësia jonë është më e madhe, se në tërmet, zjarr jemi aty”, u shpreh Bajramaj.
Ai sqaroi se paga bazë është 360 mijë lekë të vjetra, duke kërkuar më shumë vëmendje për shërbimin zjarrfikës, për të cilin tha se është jetik.
Bajramaj sqaroi se në bazë të ligjit duhet të jetë një zjarrfikës për 1500 banorë, ndaj kërkoi që të shtohen trupat.
“Kërkesat e sindikatës, është që të krijohet një drejtori e jona. Po punohet me trajnimin e trupave. Merr një zjarrfikës dhe fute në punë, ka një gamë problemesh! Një zjarrfikës që del në punë duhet të jetë i përgatitur”, tha ai.



