
Një shqiptar është propozuar për ministër në qeverinë e re të Serbisë. Demo Berisha është propozuar në Kuvend si ministër i të Drejtave të Njeriut, të Drejtave të Pakicave dhe Dialogut Shoqëror.
Ka qenë kandidati për Kryeministër të Serbisë, Duro Macut, ai që i ka dorëzuar Kuvendit të Serbisë përbërjen e kabinetit të ri qeverisës.
Ndërkohë seanca parlamentare ku do të kalojë për votim përbërja e kabinetit të ri qeveritar, është caktuar ditën e martë në orën 10.00.
Berisha është shqiptar i Kosovës i lindur në Pejë, por që jeton në Vojvodinë.
Ndërsa arsimin fillor e ka kryer në Kosovë, më tej ka kryer shkollën ushtarake në Sarajevë.
Mediat kujtojnë se në një intervistë për RTV Vojvodina para nëntë vitesh, Berisha e mohonte shtetësinë e Kosovës dhe thoshte se atdheu i tij është Serbia.
Madje ai ka qenë pjesëtar i ushtrisë jugosllave, si dhe ka punuar në Policinë Ushtarake serbe.



