
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e sheh të domosdoshëm përcaktimin e kufijve, për t’i hapur rrugë dialogut dhe më pas një marrëveshjeje me Serbinë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Thaçi ripërsërit idenë e korrigjimit të kufijve.
“Nuk ka njohje mes dy vendeve pa definimin e qartë të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Unë e kam theksuar edhe më herët e ritheksoj edhe sot se punoj dhe mendoj se do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën dhe as hapësirat e tjera”, thotë ai.
Ideja e propozuar prej tij për herë të parë në verën e vitit të shkuar ka shkaktuar debat në Kosovë e Shqipëri. Thaçi thotë se në fund të fundit vendosin ata që janë në proces, ndërsa të tjerat mbeten opinione të lira, ndërsa sjell si shembuj ilustrues marrëveshjen me Maqedoninë dhe demarkacionin me Malin e Zi.
“Korrigjim të kufirit Kosova ka bërë edhe me shtetin e Maqedonisë, unë e kam nënshkruar. Korrigjim të kufirit ka bërë edhe me Malin e Zi, unë e kam nënshkruar. Ka pasur trazira, ka pasur probleme, gaz lotsjellës, ka pasur demonstrime, dërgime të mesazheve jo të mira për shtetin e Kosovës në botë por në fund të gjithë janë bindur se marrëveshja ka qenë e drejtë dhe e saktë. Në të njëjtën kohë, ne që kemi një kufi, një territor me Serbinë rreth 410 kilometra, duhet definitivisht ta definojmë para përmbylljes së marrëveshjes apo si kusht për përmbyllje të marrëveshjes për njohjen reciproke. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e vijave kufitare. Tash unë opinionet e ndryshme i respektoj, por mund të them se me saktësi dhe qartësi mund të flasin vetëm ata që janë në proces, ndërsa të tjerët janë opinione të lira”, shprehet ai.



