Mikhail Khodorkovsky, dikur njeriu më i pasur i Rusisë para se të binte në kundërshtim me Kremlinin, tha të premten se vetëm revolucioni do të mund ta rrëzojë Vladimir Putin.
Khodorkovsky, i cili nën drejtimin e Presidentit Boris Yeltsin në vitet 1990 u bë një nga oligarkët më të fuqishëm të Rusisë, tha se dyshon nëse populli rus e mbështet pushtimin.
“Jam mjaft i tronditur nga ajo që ka ndodhur”, tha Khodorkovsky për pushtimin në një video-telefonatë me gazetarët, ku siç raporton Reuters, shpesh dukej se ishte i përlotur.
Teksa ai fliste, raketat ruse po binin si shi mbi qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev dhe familjet e strukura në streha më të sigurta, ndërsa forcat ruse e shtynë ofensivën e tyre.
58-vjeçari Khodorkovsky, tha se Putini dëshiron që të marrë Ukrainën, të shkatërrojë mbrojtjen e saj dhe të instalojë një “qeveri kukull” në Kiev.
Perëndimi duhet të ndihmojë Ukrainën, duke përfshirë edhe armatimin e popullit të saj, përndryshe ai paralajmëron se do të përballet me një pushtim të gjatë dhe potencialisht të përgjakshëm.
“Vidat do të shtrëngohen”, edhe me mospajtim brenda Rusisë, shtoi Khodorkovsky.
“Ndryshimi i regjimit të Putinit përmes mjeteve demokratike nuk mund të ndodhë. Ndryshimi mund të vijë ekskluzivisht përmes revolucionit ose revolucion nga lart ose nga poshtë. Një revolucion është i mundur ose si rezultat i një disfate ushtarake ose kur Putin të vdesë,” tha ai.
Khodorkovsky e quajti 69-vjeçarin Putin, si udhëheqësin kryesor të Rusisë që nga viti 1999, si një “diktator” që jetonte në një “flluskë informacioni” të kontrolluar fort dhe që vazhdimisht kishte nevojë t’i tregonte vetes forcën.
Nga ana e tij Putin ka thënë se Khodorkovsky është një kriminel. Ai u dënua për evazion fiskal dhe mashtrim në vitin 2005 në një gjyq në Moskë, për të cilin ai tha se ishte i motivuar nga armiqtë që donin të copëtonin kompaninë e tij të naftës dhe gazit “YUKOS” dhe se donin që ta dënonin për ambiciet e tij politike dhe për këtë arsye gjithmonë i ka mohuar akuzat.
“YUKOS” u godit me pretendime masive për taksa të prapambetura dhe më pas njësitë kryesore të prodhimit të naftës siberiane u shitën nga shteti, për t’u blerë më vonë nga firmat e kontrolluara nga shteti. Khodorkovsky u fal nga Vladimir Putin në vitin 2013 dhe u largua nga Rusia.
Ai hodhi poshtë spekulimet se Putini po sillej në mënyrë irracionale me Ukrainën, por tha se lideri rus duket se dyshonte në besnikërinë e disa personave që e rrethonin. Ai vuri në dukje se si Putin kishte ndëshkuar shefin e inteligjencës së huaj Sergei Naryshkin para kamerave televizive më 21 shkurt.
I pyetur nëse Putin dëshiron që të shkojë më tej se Ukraina, Khodorkovsky tha: “Unë jam i bindur se nëse Putin, i arrin qëllimet e tij në Ukrainë, atëherë do të dëshirojë të ndëshkojë dikë tjetër më vonë.”



