“Kur dy zemra dashurohen” është koncerti homazh kushtuar Muharrem Gurrës, një prej figurave më të shquara të traditës muzikore qytetare tiranase, i cili do të mbahet më 10 dhe 11 prill në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Në skenë do të ngjitet trupa e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, së bashku me emra të njohur të muzikës shqiptare si Merita Halili, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Artan Bakija dhe Elvina Gurra në piano.
Dy mbrëmje artistike do t’i kushtohen figurës së Muharrem Gurrës, një violinist që nuk interpretonte thjesht muzikë, por përcillte shpirtin dhe ndjeshmërinë e Tiranës.
Ai mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të këngës qytetare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer që vijon të jetojë në kulturën shqiptare.
Ky koncert premierë vjen si një bashkëpunim i veçantë mes familjes Gurra dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke sjellë në skenë një ndërthurje të traditës autentike me interpretimin bashkëkohor.
Koncerti realizohet me regji nga Ada Gurra dhe skenografi nga Ergys Krisiko, duke premtuar një përjetim artistik që rikthen shpirtin e Tiranës përmes muzikës.
Shfaqjet do të nisin në orën 20:00, në të dyja mbrëmjet artistike në skenën e TKOB.




