“E gjeta në agoni shtrirë përtokë duke kërkuar ndihmë. Ndërsa i shoqi ishte në këmbë”. Kështu e përshkruan një fqinjë skenën e vrasjes së 52-vjeçares Diana Koni Vrapi nga i shoqi, Muhamet Vrapi, ngjarje e ndodhur dje në Itali.
Gruaja u ka rrëfyer mediave lokale se pasi dëgjoi ulërimat e fqinjës dje rreth orës 16:30, shkoi menjëherë në shtëpinë ku ajo jetonte së bashku me të shoqin dhe tre fëmijët e rritur.
Ajo thotë se e gjeti Dianën në minutat e fundit të jetës. Vrasja e saj nga bashkëshorti i ka lënë pa fjalë banorët e zonës. Edhe pse njiheshin në lagje si njerëz të urtë e punëtorë, fqinjët thonë se javën e fundit, në shtëpinë e tyre diçka nuk shkonte.
“Në lagje thuhet se prej disa ditësh, ata nuk shkonin mirë. Nga shtëpia e tyre dëgjoheshin zënka dhe ulërima. Kishte diçka që nuk shkonte”, thonë banorët.
“E njihja Dianën prej 8 vitesh. Të shoqin e njihja më pak, por Dianën kam pasur mundësinë ta njoh mirë dhe ishte një grua e zonja. Ishte e sjellshme, e hapur dhe e shoqërueshme. Nuk di gjë të keqe për të. Nuk e di si i kishin gjërat në familje, por kam dëgjuar se kohët e fundit ata ziheshin. Të shoqin e njihja më pak, sepse e shihja rrallë, ngaqë punonte shumë”, tregon një tjetër.
Pritet që pas autopsisë, trupi i Diana Konit të tërhiqet nga familjarët për funeralin.



