Si çdo të enjte parlamenti është përfshirë nga debatet e ashpra dhe akuzat ndaj maxhorancës dhe opozitës. Ish-kryeministri Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit akuzoi qeverinë si organizatë kriminale, ndërsa i bëri thirrje qyetarëve që të bashkohen për largimin e saj.
Berisha tha se kryeministri mbron dhe është i lidhur me krimin, ndërsa akuzoi dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si të lidhur me trafikun e drogës.
Por ministri Brendshëm Saimir Tahiri ka replikuar me ish-kryeministrin Sali Berisha, lidhur me akuzat për rendin dhe trafikun e drogës.
Nga foltorja e Kuvendit, Ministri Tahiri iu drejtua Berishës se pse ky i fundit, edhe pse foli për minuta të tëra, nuk tha asnjë fjalë për reformën në drejtësi.
Por në qendër të fjalës së Tahirit, ishte kreu i PD Lulzim Basha, të cilin nuk ngurroi ta falenderojë. Kjo për faktin se siç nënvizoi Tahiri, kreu i demokratëve për herë të parë nga Spitali i Traumës, falënderoi dhe mbështeti Policinë e Shtetit, lidhur me aksionin e grabitjes në Lezhë.
Sipas Tahirit, ky duhet të jetë shembulli që politika duhet të ndjekë dhe se Policia meriton falënderimin dhe mirënjohjen e të gjithëve.
“I the të gjitha këtu, me urime e mallkime, po një fjalë për reformën në drejtësi si nuk e the një herë? Por ti je i vetmi për të cilin bëhet libër për dëmet ndaj këtij vendi. Je i vetmi që djali yt bëhet skenar për filmat e Hollivudit. Sot dua të ndalem tek Lulzim Basha se për herë të parë ka falënderuar Policinë e Shtetit. Por jam unë ai që dua ta falënderoj Lulzim Bashës se Policia është e denjë për të merituar mbështetjen dhe falënderimet e të gjithëve. Sot policia bëri një aksion shembullor.” tha Tahiri



