Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme kanë një projekt për shtimin e posteve konsullore në vende ku jetojnë shqiptarët. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, tha në studion e emisionit “Në fokus” në TvT, se një prej tyre do të hapet në Kanada.
“Ministria e Brendshme në bashkëpunim me atë të Jashtme po mendojnë shtimin e disa posteve konsullore. Për t’iu gjendur më pranë shqiptarëve që janë jashtë territorit të Shqipërisë, siç është p.sh. rasti i shqiptarëve që jetojnë në Kanada dhe duhet të udhëtojnë drejt SHBA për t’u pajisur me pasaportë. Po mendojmë një projekt konkret me Ministrinë e Jashtme,”-tha ajo.
Voda shtoi se lehtësira të tjera do të krijohen për emigrantët.
“Përmes lehtësimit që formularët e policisë të mos vijnë me postë, por përmes firmës apo vulës elektronike të mundemi që dokumentet që shkëmbehen mes posteve konsullore të marrin vlerë edhe të skanuar duke përdorur firmën dhe vulën elektronike,”- tha Voda.



