
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar me akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, por pa i përmendur emrin, pasi ky i fundi deklaroi se nuk mund të bëhet tregti me Luginën e Preshevës.
Thaçi ka thënë se Kosovës nuk i duhen këshilla nga ata që e kanë ndihmuar Sllobodan Millosheviçin, në vitet e luftës me Kosovën, duke i shitur naftë, në kohën kur Jugosllavia ishte nën sanksione. Madje kreu i shtetit ka shkuar edhe më tej duke thënë se këshilla nuk i duhen as prej atij që ka strehuar Osama Bin Landenin dhe ka arrestuar Adem Jasharin dhe komandantë tjerë të UÇK-së.
"Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 - 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës", ka shkruar Thaçi.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka dalë kundër idesë së ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në reagimin e tij, ai ka thënë se nuk duhet që Lugina e Preshevës të përdoret për tregti ndërmjet dy shteteve e aq më pak të preken kufijtë e Kosovës që janë njohur ndërkombëtarisht nga 115 shtete, shkruan Gazeta Express.
"Shqiptaret e komunave te Lugines kane nevoje per garantimin e te drejtave te tyre ne perputhje me konventen Europiane te te Drejtave te Njeriut, investime dhe zhvillim dhe jo qe te perdoren per interesa te Serbise per tregti territoresh”, ka shkruar Berisha, pas një takimi që ka pasur me udhëheqës të Luginës.
“Eshte fakt i pamohueshem se Serbia gjithnje ka dashur t’u perdori si plaçke tregu dhe per shkembim territoresh”, ka shtuar ai.
Reagimet e ish-kryeministri Berisha vijnë në kohën kur Hashim Thaçi po paralajmëron se do të ketë korrigjim të kufijve dhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën.



