Urbanisti Artan Kaçani tha në “Mcn Economy” se Bashkia e Tiranës s’e ka fare idenë e banorëve që janë në vështirësi të strehës. Po ashtu ai vuri në dukje se banesat sociale në Tiranë janë të përqendruara vetëm në dy zona, duke i kthyer ato gati gati në geto.
“Në Shqipëri fatkeqësisht procesi i strehimit është duke u centralizuar gjithnjë e më tepër, nga një njësi qendrore, që sheh prioritet më tepër zbatimin e projekteve dhe financimeve më tepër se sa nevojën sociale të dinamikave të çdo bashkie. Sipas rregulloreve të planifikimit urban, çdo bashki duhet të hartojë planet e tyre të strehimit, duke parashikuar në kohë të gjatë alokimin e banorëve. Bashkia e Tiranës për momentin e ka një udhëzues për strehimin, që duhet të mbarojë në vitin 2027.
Ajo që kuptojmë nga plani i strehimit të Bashkisë Tiranë është që shumë nga aksionet nuk janë të realizuara, presin partneritet me privatë, qoftë edhe për të hartëzuar problemet më sociale të Tiranës. Bashkia e Tiranës s’e ka fare idenë e banorëve që janë në vështirësi të strehës. Ndonjëherë përdoret alibia e aplikimit nëpër konkurse. Bashkia s’menaxhon më kuotat e personave në nevojë, por menaxhon projektet. Kemi nevojë për një menaxhim të mirëfilltë, që të zbresë në një shkallë të detajuar të qyteteve. Plani rregullues i Bashkisë Tiranë parashikon shembjen e banesave para viteve 90, por po flasim për 200 mijë banorë dhe Bashkia Tiranë s’e ka një plan ku do akomodohen në të ardhmen.
Në Tiranë s’është vënë në plan ky 3 për qind. Ekskluzivisht gjithë banesat sociale në Tiranë, po përqendrohen në dy zona, duke i kthyer gati në geto. Bashkia Tiranë po zgjedh një program homogjenizues, duke i vendosur gjithë hallexhinjtë së bashku. Kjo krijon probleme të treta, racizmi, etj”.



