
Facebook nuk do të censurojë më postimet që flasin për teoritë mbi krijimin e Covid-19 në laborator, të ndaluara më parë. Vendimi u mor menjëherë pas njoftimit nga presidenti i SHBA, Joe Biden, për fillimin e një hetimi mbi origjinën e Sars-Cov2 i cili do të duhet të japë përgjigje të qarta brenda vetëm 90 ditësh.
"Në dritën e hetimit të vazhdueshëm mbi Covid-19 - i tha CNN një zëdhënës i Facebook - dhe pasi u këshilluam me ekspertë të shëndetit publik, ne kemi vendosur të mos heqim më mesazhe që mbështesin origjinën njerëzore të virusit".
Megjithatë, menaxherët e rrjetit social shpjeguan se "ata do të vazhdojnë të punojnë me ekspertë shëndetësorë për të ecur me ecurinë e situatës dhe për të azhurnuar politikat në këtë drejtim, në dritën e shfaqjes së fakteve të reja".
Ky njoftim vjen ndërsa po zhvillohet një debat lidhur me origjinën e këtij virusi dhe administrata amerikane e z.Biden po ndjek rrugën e Trump duke deklaruar gjithnjë e më shumë se Covid-19 mund të ketë dalë nga një laborator në Kinë.
Kompanitë e mediave sociale janë përballur me presion për të ndihmuar në luftën kundër keqinformimit sa i përket pandemisë. Facebook-u ka thënë se ka hequr mbi 16 milionë artikuj, pasi kishte gjetur shkelje sa i përket informimit për COVID-19 si dhe për vaksinat.
Në muajin shkurt, kjo kompani kishte ndryshuar politikat e saj, duke hequr edhe postimet ku pretendohej se koronavirusi ishte krijuar nga njeriu.



