Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, gazetari Artan Hoxha bëri një kronologji të aktivitetit të Fredi Belerit para kandidimit të tij për kryetar të Bashkisë së Himarës. Hoxha u ndal te përfshirja e Belerit në atë që njihet si masakra e Peshkëpisë, 10 prill 1994, hetimin e së cilës sipas tij, autoritetet e kanë varrosur përfundimisht. Hoxha u ndal te të dhënat e Interpolit për dy arrestimet e Belerit dhe detaje të dala nga hetimet për ngjarjen e vitit 1994.
Nuk kam parë një mbrojtje si ajo që i është bërë Belerit. Është vendosur si kusht që nëse ai dënohet, ky vend nuk është më demokratik. Beleri si person nuk më intereson fare, fenomeni po. Ai u bë kaq i rëndësishëm.
Nuk u bë kaq i rëndësishëm se ishte politikan i zoti dhe kishte një program të mirë.
Shqipëria sot është nën presion nga autoritetet greke. Ndryshe nga e shkuara, Shqipëria ia ka dalë këtë radhë.
Beleri është i dënuar, pa vendimin e fundit. Është i dënuar tre herë: në Greqi, në 19 mars 1995, në Hanin e Delvinaqit, duke lëvizur në automjetin ku janë kapur 6 kallashnikovë dhe dy pistoleta. Numrat e serisë përputheshin me armët e rrëmbyera në repartin e Peshkëpisë. Pas ngjarjes së Peshkëpisë ndryshuan marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Autoritetet greke kanë pasur dijeni që struktura që kishin lidhje me qarqet ultranacionaliste po tentonin të krijonin probleme me Greqinë.
Beleri është marrë në hetim nga një grup special që ka ardhur nga Athina. Shqipëria nuk dinte gjë. Bleri ka qëndruar 4 muaj në burg në Janinë dhe 8 muaj të tjerë në burg në Athinë. Pas një viti, për shkak të ndërhyrjes së madhe për procesin, në dëshminë e vet thotë: Po, kam qenë aty, por kam qenë për ekskursion. Pra, në orën 2:00 të natës.
Është kapur më vonë në aeroportin e Athinës me një pasaportë shqiptare të falsifikuar. Për këtë është paraqitur në gjykatë dhe e kanë çuar të kundravajtjet. Është dënuar por nuk ka bërë asnjë ditë burg. Është arratisur nga Shqipëria, i është shmangur dënimit. Gjatë kohës kur ka qenë në arrati, në pushtet ishte Sali Berisha. Ishte viti 2007, kur në Himarë konkurronte Vasil Bollano.
Kam një raport të zyrës qendrore të Interpolit, i cili thotë se shtetasi Fredi Beleri (atëherë Dhionisis) ka qenë i arrestuar me dy shtetas grekë për posedimin e 6 armëve të gjata dhe 2 pistoletave. Po ashtu ka qenë i arrestuar në aeroportin e Athinës për posedimin e një pasaporte të falsifikuar shqiptare.
Jo vetëm që ka lidhje, po këtë lidhje nuk e kanë gjetur autoritetet shqiptare. Ato e kanë varrosur përfundimisht hetimin.
Autoritetet greke në 1995 kanë deklaruar se grupi prej 7 personash i kapur në Hanin e Delvinaqit është i njëjti që ishte përfshirë në masakrën e Peshkëpisë. Armët që janë përdorur janë të njëjta.



