
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku në ujërat e lumit Shkumbin është gjetur trupi i pajetë i një gruaje.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 19:00, banorët e zonës së Krastës kanë njoftuar policinë pasi kanë vënë re trupin që lundronte në ujë.
Në vendngjarje janë dërguar menjëherë forcat e policisë dhe grupi zjarrfikës, ndërsa palombarët nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të errësirës. Në operacionin për nxjerrjen e trupit morën pjesë 7 efektivë zjarrfikës dhe 10 efektivë policie, të cilët bënë të mundur rikuperimin e trupit nga lumi.
Viktima është një grua rreth 40 vjeçe, e cila ende nuk është identifikuar.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe shkaqet e vdekjes.



