
Në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, dega e PD Fier në bashkëpunim me partitë e tjera opozitare, ka ngritur Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë e cila do të zyrtarizohet sonte në orën 19.30, ku do të zhvillohet mbledhja e parë e këtij institucioni qytetar.
Ndonëse deri tani ka qenë i paqartë roli i kësaj strukture, PD bën me dije se Aleanca do të kërkojë lirimin e KZAZ-ve në Bashkinë e Fierit.
Sipas njoftimit të PD, Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë sëbashku me strukturat lokale të partive të opozitës do ti drejtohen KZAZ dhe Bashkisë Fier për të kërkuar lirimin e ambjenteve mbahen në mënyrë të paligjëshme duke kërkuar që të vihet në zbatim dekreti i Presidentit të Republikës dhe ndalimi i një procesi farsë zgjedhor me 30 qershor.
Deri më sot, opozita ka sulmuar mes incidentesh KZAZ-të në bashkitë e djathta si Shkodra, Kukësi, Burreli dhe Kavaja, duke arritur të shkatërrojë bazën materiale për zgjedhjet, por në bashkitë e majta nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë.
Duket se këtë veprim e merr përsipër ta kryejë Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.



