
Dhoma e Apelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve ka dënuar sot ish-presidentin serb të Bosnjes, Radovan Karaxhiç për përgjegjësinë për disa nga krimet më të rënda të kohës së luftës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Vendimi i apelit lë në fuqi dënimin fillestar të Karaxhiç dhe shtoi dënimin e tij nga 40 vjet burgim në dënim të përjetshëm, duke u nisur nga fakti se sa të rënda kanë qenë krimet mbi popullsinë boshnjake.
Karaxhiç u dënua për gjenocidin e boshnjakëve të Srebrenicës në vitin 1995, terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës me një fushatë të gjatë bombardimi dhe sulmi me snajpera, persekutimin dhe shfarosjen e boshnjakëve dhe kroatëve në 20 komuna anembanë vendit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Megjithatë, ai u lirua nga akuza e genocidit në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.
Karaxhiç u dënua fillimisht nga Tribunali i Hagës nën një aktgjykim të shkallës së parë në mars 2016, me 40 vjet burg, por si mbrojtja dhe prokuroria e ankimuan vendimin.
Megjithatë, Apeli e hodhi poshtë pretendimin e Karaxhiçit për gjykim të padrejtë.
Në momentin që u dha vendimi, familjarët e viktimave të luftës në Bosnjë, që ishin në Hagë për verdiktin, shpërthyen në brohoritje.
Vendimi i së mërkurës është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet.
Karaxhiç u arrestua në vitin 2008 në Beograd, ndërsa ishte maskuar si një shërues, pasi kaloi 12 vjet në arrati.
Gjyqi i tij filloi në tetor të vitit 2009 dhe më shumë se 500 dëshmi u dëgjuan gjatë procesit-maratonë të gjykimit të tij.



