Kreu i partisë së ekstremit të djathtë Lega Nord, Matteo Salvini tha se sanksionet perëndimore kundër Rusisë nuk po funksionojnë dhe po dëmtojnë Italinë.
Ai sugjeron që vendet aleate duhet të rishqyrtojnë qasjen ndaj tyre. Salvini shprehet se sanksionet që synonin të ndëshkonin Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë, në fakt e kishin ndihmuar Rusinë, duke rezultuar në një tepricë eksporti prej 140 miliardë dollarësh, gjatë vitit që përfundon në korrik 2022.
"A duhet të mbrojmë Ukrainën? Po," tha Salvini. “Por nuk do të doja që sanksionet të dëmtojnë më shumë ata që i vendosin sesa ata që goditen prej tyre”.
Deklaratat e Salvinit vijnë vetëm disa javë përpara se italianët të shkojnë në kutitë e votimit më 25 shtator, në zgjedhjet kombëtare në të cilat pritet të fitojë një koalicion i krahut të djathtë që përfshin Ligën.



