
Një 65-vjeçar është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm në fshatin Ngurrëz e Vogël në Lushnjë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 05:00, ku i plagosur mbeti Faik Veliu, i cili dyshohet se u qëllua me armë nga vëllai i tij, Sami Veliu, i cili pas ngjarjes u largua.
Megjithatë arratia e tij nuk zgjati shumë, pasi u vu në pranga pas pak orësh nga policia.
Sipas burimeve në vend ngjarje, Faik Veliu, 65 vjeç, është ngritur si çdo ditë për të kontrolluar bagëtinë (të milte lopët ) në kasollen që ndodhej mbrapa shtëpisë.
Përpara derës së kasolles e priste i vëllai Flamur Veliu, me armë kallashnikovi dhe e ka shkrepur në drejtim të vëllait tjetër.
Krismat janë dëgjuar nga bashkëshortja e cila ka shkuar menjëherë në vend ngjarje dhe ka parë burrin të plagosur, ka lajmëruar policinë e më pas e spitalin e Lushnjës.
Familjarët e tjerë të cilët sapo dëgjuan krismat kanë shkuar në banesën e Faik Veliut dhe pohojnë për mediat se vëllezërit njihen si njerëz punëtor dhe jo problematik.
Faik Veliu është plagosur në ije dhe në kraharor, por pasi mori mjekim në spitalin e Lushnjes është nisur për në Tiranë pasi gjendja e tij është rënduar.
Autori i plagosjes është arrestuar 2 orë pas ngjarjes. Ai është gjetur i fshehur në një plantacion shegësh dhe në momentin e arrestimit nga policia i është gjetur edhe arma e krimit, automatiku kallashnikov.
Sipas disa të afërmeve familjarë, autori i plagosjes rreth 70 vjeç, ka probleme të shëndetit mendor për të cilat nuk kurohej.
Ende nuk dihen motivet e vërteta të ngjarjes, por deri tani nga burime të jashtme bëhet me dije se sherri mes vëllezërve është banal.
Sot rreth orës 05:00, në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë, në territorin e jashtëm të banesës së tij, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi F. V., 65 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.



