
Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kallëzimin penal për koncesionin e check up-it. Selia blu e cilëson këtë koncesion një nga vendimet më korruptive të qeverisë “Rama” dhe bën përgjegjës për të dhjetë persona, mes të cilëve ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu, dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it.
Akuzat për të cilat PD-ja kërkon hetim të thelluar nga SPAK janë shtatë, mes tyre: korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës e deri te përfitimi i paligjshëm.
Kallzimi penal ka analizuar me prova dhe fakte shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës.
Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.



