Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri ka folur për shtyrjen e takimit të sotëm për Reformën Zgjedhore, duke fajësuar kreun e PD, Lulzim Bashën.
Bashkëkryetari për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri në një postim në rrjete sociale i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha sa i përket propozimit të tij që kthimi i Parlamentit me dy dhoma rrit mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive.
Gjiknuri e sheh të pamundur kthimin e parlamentit me dy dhoma, pasi kjo çështje është trajtuar në Reformën Kushtetuese të vitit 1998.
Ndërsa sa i përket afatit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri u shpreh se miratimi isaj mund të zgjasë edhe përtej 15 marsit, pasi mund të kërkojë më shumë kohë.
Sipas tij, Basha në platformën e tij zgjedhore të publikuar në rrjetet sociale nuk ka asgjë të përbashkët me marrëveshjet e arritura deri tani.
Gjiknuri thotë se Basha nuk i njeh dakordësimet që kanë arritur, ndërsa theksoi se në atë tryezë do të diskutohen vetëm çështje që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor.
Reagimi i Gjiknurit:
Një Bashë në tryezë, një tjetër Bashë në selinë e PD
Në ditën kur të gjithë prisnin që opozita jashtëparlamentare të paraqitej në tryezën e reformës zgjedhore për të dorëzuar propozimet e saja për çështjen e administratës dhe sistemit zgjedhor, Partia Demokratike vendosi ta shtyjë mbledhjen. Deklarimet publike të kryetarit të PD bien në kundërshtim me vet frymën konsensuale me të cilën ka ecur puna e deritanishme e tryezës politike të reformës. Vizionin e tij për shtetin, Lulzim Basha mund ta deklarojë në fushata zgjedhore por kjo nuk ka lidhje me Kodin Zgjedhor. Sa për kujtesë, çështja se sa dhoma duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë është trajtuar gjërësisht në reformën kushtetuese të vitit 1998.
Fatkeqësisht, me deklarimet e sotme, Basha ka vendosur që të mos njohë as propozimet zyrtare të dorëzuara deri më tani nga partia e tij në këtë tryezë dhe as dakordësitë e arritura mes palëve. Rikujtoj se deri më tani, palët kanë arritur konsensus si për rolin e Policisë së Shtetit, Prokurorisë, hetimin nga SPAK të veprave penale të korrupsionit zgjedhor, sanksionimin dhe mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin miks të fushatave zgjedhore, identifikimin elektronik të zgjedhësve në qendra votimi ose fillimin e zbatimit me projekte pilot të votimit elektronik etj.
Duke mos dashur të besoj se meraku i vetëm i Partisë Demokratike është sabotimi dhe dështimi i tryezës së reformës zgjedhore përpara datës 15 Mars, rikujtoj se mbledhja e rradhës së tryezës politike është ditën e Hënë, ora 10:00. Mbetemi në pritje të propozimeve zyrtare të Partisë Demokratike mbi administratën zgjedhore dhe sistemin zgjedhor, për të cilin sikurse është rënë dakord, duke qenë se prek dhe Kushtetutën mund të kërkojë më shumë kohë edhe përtej 15 Marsit. Riktheksoj se mazhoranca ka vullnetin dhe detyrimin për ta përmbyllur sa më parë reformën zgjedhore duke adresuar plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Në tryezën politike të reformës zgjedhore diskutohen VETEM çështje që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor. ASNJE çështje tjetër që shkon përtej kësaj nuk është objekt diskutimi në këtë tryezë!



