Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar me anë të një njoftimit për mediat lidhur me ngjarjen e sotmë në Shkodër, ku një grup tregtarësh ambulantë të duhanit u përleshën me inspektorët tatimorë.
Në njoftim thuhet se aksioni i paradites së sotme është kryer në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ka pasur për qëllim ndalimin e fenomenit të prodhimit dhe tregtimit të paligjshëm të duhanit të grirë, produkt për të cilin paguhet akcizë.
Sipas informacioneve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kjo veprimtari e paligjshme vazhdon dhe me kontrabandën e duhanit përtej kufijve, sikundër rezultoi edhe përgjatë operacionit të përbashkët të zhvilluar me homologët malazez, përgjatë muajit Tetor 2016.
Aksioni u krye ne orët e para të mëngjesit në lagjen Rus në Shkodër dhe gjatë tij u bllokua një sasi duhani e grirë. Kontrolli vijoi për evidentimin e një magazine në të cilën dyshohet se përpunohet duhani, por gjatë kryerjes së detyrës, punonjësit e Antikontrabandës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe të Policisë, u ndeshën me reagimin e dhunshëm të tregtarëve të duhanit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave siguron opinionin publik se veprimet e kryera nga inspktorët tanë në terren, janë tërësisht në përputhje me ligjin, me qëllim zbulimin dhe ndalimin e veprimtarive të kundraligjshme. Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme të Doganave i bën thirrje të gjithë instancave shtetërore, përfshirë dhe pushtetin lokal, për të kryer detyrën e tyre në përputhje me përcaktimet ligjore dhe për të mos lejuar tregtimin e mallrave të akcizës në vende të pamiratuara dhe kontrolluara nga strukturat shtetërore, si dhe ndërgjegjësim të të gjithë qytetarëve dhe subjekteve për të paguar detyrimet përkatëse sikundërse e parasheh ligji.
