Postera me foto të Aleksandar Vuçiçit me mesazhin “komandant suprem, po të presim” janë shfaqur në Veri të Kosovës.
Postera të tillë janë parë në komunat me shumicë serbe në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kanë hapur rast për "nxitje të urrejtjes".

“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, tha Elshani.
Deri më tani nuk ka persona të dyshuar, megjithatë autoritetet kosovare po punojnë për zbardhjen e rastit. Posterat janë hequr nga zyrtarët policorë në Mitrovicë të Veriut. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur tensionet Prishtinë-Beograd vijojnë të jenë të larta. Së fundmi dështoi takimi i planifikuar Kurti- Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës kërkoi dorëzimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe Radoiçiç dhe bandës së tij, përgjegjës për sulmin në Banjskë.



