Një shou i gjigantit britanik BBC ka shkaktuar shumë debate në internet, pasi në të tallen gratë britanike që kanë udhëtuar drejt Sirisë, për t’iu bashkuar Shtetit Islamik duke u martuar me luftëtarë të tij.
“The Real Housewives of ISIS” është një komedi e shkurtër, që ka sjellë rikthimin në ekran të komedianëve Jolyon Rubinstein dhe Heydon Prowse në televizionin britanik.
Skeçi është publikuar fillimisht të martën dhe ka mbledhur menjëherë miliona shikues.
Por shumë prej tyre nuk e mbështesin mënyrën se si paraqitet jeta e grave që jetojnë në Irak dhe Siri.
Në një prej skenave, një grua shfaqet teksa mendohet se çfarë duhet veshur kur të pritet koka.
“Jam e lumtur që jam këtu. Është pikërisht ashtu siç më kishin treguar çunat në dhomat e çatit”, thotë një grua tjetër teksa shfaqet duke fërkuar dyshemenë e një shtëpie të shkatërruar nga bombardimet.
Disa përdorues e kanë cilësuar skenarin si “shije e keqe” dhe tallje me vajza që kanë marrë vendimin e gabuar në adoleshencë. Ndërsa të tjerë thonë se satira ka për qëllim ta vërë theksin te absurditeti i jetës së atyre që pranojnë të rekrutohen nga ISIS-i pasi u bëhet shplarje truri.



