
Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në emisionin “Skaner” në MCN TV, deklaroi se nuk beson se do të vijë më një rikthim si ai i skuadrës në sezonin e kaluar.
Duke folur për sezonin e skuadrës, Xhaferi u shpreh se te Vllaznia ndikon shumë euforia.
Euforia në Shkodër ndikon shumë. Menjëherë pas një ndeshje të mirë, në sfidën tjetër e kemi pasur të vështirë. Në Shkodër titulli mungon prej shumë vitesh dhe qyteti meriton më shumë tituj. Skuadra erdhi nga një situatë shumë e vështirë. Vllaznia e së ardhmes, është një Vllazni që duhet të ketë sa më pak presionin e ambientit. Vllaznia do të futet në çdo kompeticion për të fituar trofe. I kam thënë lojtarëve që të jenë profesionistë dhe të jenë sa më të qetë dhe pa presion.
Ai rikthim i Vllaznisë, siç ndodhi sezonin e kaluar, nuk mendoj se do të vijë më. Ne kemi krijuar një bërthamë në skuadër me disa lojtarë shkodranë. U munduam ta mbajmë edhe këtë vit. Në Shkodër të gjithë lojtarët që vijnë, ambientohen shpejt dhe duan të arrijnë suksese të mëdha. Sezonin e kaluar u krijua një skuadër shumë e mirë, që luftonte.
I pyetur në lidhje me të ardhmen e drejtorit Matko Djarmati, Xhaferi nuk dha një përgjigje, duke lënë të nënkuptohet se me shumë mundësi bashkëpunimi mes palëve do të mbyllet.
Pasi kemi marrë Kupën, lojtarët janë lënë të lirë dhe janë me pushime. Nuk jemi mbledhur për të diskutuar për të ardhmen e skuadrës. Mendoj se në ditët në vijim do të kemi një njoftim për rinovimet dhe ata që do të jenë pjesë e Vllaznisë. Te Matko Djarmati kam gjetur një djalë të sinqertë. Kemi qenë me fat që Matko ka ardhur në vitin e ndryshimit. Ka punuar me shumë dëshirë dhe pasion. Po flasim pas dy viteve, te Vllaznia kanë ndryshuar të gjitha. Ne do ulemi dhe do diskutojmë. Do shikojmë vazhdimësinë dhe do të ketë një njoftim për Djarmatin.



