Trump po minon demokracinë dhe po na çon drejt autoritarizmit. Ndërsa miliarderët që mendojnë vetëm për aksionet e tyre po e ndihmojnë ta bëjë këtë.
Kështu tha senatori i njohur Bernie Sanders javën e kaluar.
Në muajt e fundit, Sanders ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të rikthimit të Trump në pushtet, duke paralajmëruar se presidenti është në luftë të hapur me median dhe se po fiton.
Ajo që ndezi reagimin e tij së fundmi ishte një marrëveshje mes kompanisë Paramount, që zotëron rrjetin CBS Neës, dhe Donald Trump.
Sipas marrëveshjes, Paramount i dhuron Trumpit 16 milionë dollarë për arkivin e tij presidencial, një institucion që zakonisht krijohet pas largimit nga detyra.
Kjo marrëveshje erdhi pasi Trump paditi CBS për mënyrën si ishte montuar një intervistë me Kamala Harris në emisionin “60 Minutes” gjatë fushatës së vitit 2024.
Ai pretendoi se ishte trajtuar me paragjykim, ndonëse nuk paraqiti asnjë provë serioze.
Gazetarët e emisionit dhe shumica e ekspertëve e cilësuan si montazh normal, si çdo intervistë tjetër.
Por pse atëherë u pranua marrëveshja?
Shumë persona besojnë se arsyeja e vërtetë është financiare. Familja Redstone, që zotëron Paramount, është në proces për të shitur kompaninë për 8 miliardë dollarë te studioja Skydance, një marrëveshje nga e cila ata përfitojnë 2.4 miliardë dollarë.
Kjo do të thotë se kanë interes të marrin miratimin e rregullatorëve të administratës Trump.
“Paramount hapi derën për idenë që qeveria duhet të jetë kryeredaktore e medias”
Avokati Bob Corn-Revere tha se: Paramount e mbylli këtë çështje, por hapi derën që qeveria të ndërhyjë si redaktore e medias.
Sanders e quajti këtë një ditë të errët për gazetarinë e lirë dhe paralajmëroi se kjo marrëveshje vetëm do ta inkurajojë më shumë Trumpin të sulmojë dhe të frikësojë median, të cilën ai e ka quajtur “armik i popullit”.
Meqenëse presidenca e dytë e Trumpit po zhvillohet mes kaosit, shkurtimeve të mëdha të shpenzimeve qeveritare dhe një kufizimi të lirive civile, sulmet e tij të përsëritura dhe të ashpra ndaj shtypit kanë qenë një nga gjërat që i shqetësojnë më shumë ata që kanë frikë për shëndetin demokratik të Amerikës.
Mediat amerikane po përballen me një krizë të thellë, të ngjashme me atë që është parë në vende si Hungaria, ku autoritarizmi është rritur në mënyrë të fshehtë.
Rasti i fundit është marrëveshja me Paramount-in, por nuk është i vetmi. Vetëm gjashtë muaj më parë, edhe kompania Disney, që zotëron ABC News ra dakord të mbyllë një padi ligjore për mënyrën se si gazetari George Stephanopoulos e përshkroi ngjarjen e sulmit seksual të presidentit ndaj shkrimtares E. Jean Carroll. Edhe aty, pagesa arriti në 16 milionë dollarë.
Ndërkohë, Trump ka ngritur një tjetër padi, këtë herë kundër një gazete të vogël, vetëm pse botoi një sondazh që nuk i pëlqeu. Ai paditi anketuesen Ann Selzer dhe gazetën “Des Moines Register”, duke i akuzuar për mashtrim, pasi publikuan një sondazh para zgjedhjeve të 2024-ës që tregonte Kamala Harris në avantazh në Iowa, një shtet që ajo nuk arriti ta fitonte.
Javën e kaluar, administrata Trump kërcënoi me padi edhe CNN-in, për një raportim lidhur me një aplikacion që njofton përdoruesit për praninë e agjentëve të imigracionit. Teksa vazhdojnë masat për dëbimet masive, sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se po shqyrtohet mundësia që rrjeti të ndiqet penalisht, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë.
Por nëse Trump është i vendosur të godasë ashpër median në SHBA, në disa qarqe me ndikim kjo është pritur me heshtje, veçanërisht nga ato organizata mediatike që janë në pronësi të miliarderëve apo korporatave të mëdha, të cilët janë plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin që ka Trump mbi institucionet rregullatore dhe fuqinë e tij për të ndikuar në fatin e bizneseve të tyre.
Në fakt, edhe pse marrëveshjet ligjore me Trump përbëjnë një kompromis ndaj lirisë së shtypit, ato pasqyrojnë edhe një realitet ekonomik, mediat shpesh shihen më shumë si barrë sesa si përfitim për korporatat shumëkombëshe që i zotërojnë.



