
Partia qeverisëse e Spanjës ka pësuar një goditje të madhe pasi një nga ish-arkëtarët e saj u burgos për 33 vjet burgim për mashtrim dhe pastrim parash dhe vetë u zbulua se kishte përfituar nga një skemë mashtrimi, një rast që është bërë simboli i korrupsionit politik në vend.
Luis Bárcenas, dikur një aleat i ngushtë i kryeministrit Mariano Rajoy, u dënua me burg për pjesën e tij në komplot dhe u gjobit 44 milionë euro, ndërsa Partia Popullore (PP) u gjobit me 240 000 euro, pasi gjyqtarët e Gjykatës së Lartë vendosën që partia kishte përfituar nga skema korruptive.
E ashtuquajtura çështja "Gürtel" u përqendrua te Francisco Correa, një biznesmen me lidhje të ngushta me partinë, i akuzuar për pagim ryshfeti ndaj zyrtarëve të kësaj partie për periudhën 1999 dhe 2006, në këmbim të kontratave për kryerjen e punëve publike dhe organizimin e eventeve.
Correa u dënua me 51 vjet burg dhe zëvendësi i tij, Pablo Crespo, u burgos për 37 vjet e gjashtë muaj. Gruaja e Bárcenas, Rosalía Iglesias, u burgos për 15 vjet dhe ish-gruaja e Correa, Carmen Rodríguez Quijano, për 14 vjet e tetë muaj.
Hetimi u kodua "Gürtel", fjalë gjermane, që do të thotë "rrip".
Në korrik të vitit të kaluar, kryeministri Rajoy u bë i pari kryeministër spanjoll që dëshmoi në një çështje penale kur ai u thirr për të dhënë prova në gjyqin për çështjen "Gürtel" për kohën e kur ai ishte zëvendëssekretar i përgjithshëm i Partisë Popullore (PP).
Rajoy tha se detyrat e tij gjatë periudhës në fjalë ishin ekskluzivisht politike dhe jo financiare.
Njëzetë e nëntë nga 37 të pandehurit në këtë rast u dënuan me burgim prej 351 vjet burg gjithsej, ndërsa të tjerët u liruan, shkruan "The Guardian".
Kur lajmi i skandalit u shfaq fillimisht nëntë vjet më parë, Rajoy e hodhi poshtë atë si "një komplot kundër PP". Ai fillimisht i ofroi Bárcenas mbështetjen e tij, duke i thënë shokut të tij: "Luis, ne po bëjmë atë që mundemi" dhe "Luis, ji i fortë".
Në vitet e fundit, PP është zhytur gjithnjë e më shumë në skandalet e korrupsionit. Në prill, presidenti i PP i qeverisë rajonale të Madridit dha dorëheqjen pas akuzave se kishte falsifikuar diplomën e magjistraturës dhe pas pamjeve që u shfaqën me video duke vjedhur në një dyqan një krem fytyre.



