Dy persona janë vënë në prangat e policisë dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar Mondi Mëhalla.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30 nëntor, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.
Gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve Xhino Ago, 32 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si bashkëpunëtor, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjithashtu u vu në pranga Kujtim Pisha, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, roja i biznesit.
Nga ana tjetër u shpallën në kërkim shtetasit Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, të dyshuar si autorë të vrasjes, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Ago, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit Marselo Arani.
Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.
Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.



