SPAK ka intensifikuar prej disa ditësh hetimet financiare ndaj personave të dyshuar si pjesë grupit kriminal të dosjes AKSHI.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për Mcn Live bën me dije se pjesë e hetimit është bërë edhe ish-kreu i SPAK Altin Dumani, i cili do t'i bashkohet prokurorit Bledar Maksuti.
Pas zhdukjes të mbi 600 shishe verë nga kantina e biznesmenit Ergys Agasi, SPAK dhe BKH kanë nisur sekuestrot e para të aseteve, përfshirë disa automjete. Pjese e hetimit pasuror janë edhe llogarite bankare të personave të dyshuar dhe kompanive të tyre.
Për dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri që nuk është ekzekutuar arresti, me kërkesë të SPAK, Interpol Tirana ka bërë shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe.
Gazetari Rusta ndër të tjera bën me dije:
"Aktualisht ka të tjera veprime që lidhen me hetimet pasurore. Për t'u veçuar është një zhvillim i momenteve të fundit, ndoshta i një apo dy ditë më parë, ish-drejtuesi i SPAK Altin Dumani është bërë pjesë e grupit hetimor që do hetojë dosjen e AKSHI-t.
Po ashtu është prokurori që ka vazhduar hetimet, z.Bledar Maksuti, hetime të nisura prej tij muaj më parë me dosjen e kontrabandës së cigareve. Dumani dhe Maksuti janë hetuesit e dosjes AKSHI. Nga 8 masa sigurie të miratuara nga gjykata, dy prej tyre janë ende të paekzekutuara, përkatësisht biznesmenit Agasi dhe Beqiri, ku Interpol Tirana ka bërë shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe.
Përveç kontrolleve në bankat e nivelit të dytë, hetimet në pjesë të pasurive, asete të luajtshme dhe të paluajtshme, siç ishte edhe ajo që kemi raportuar, deri në këto momente ende të pasekuestruar, por të dyshuar me objekt fshehjen apo tjetërsimin, një jaht 1 milionë euro të biznesmenit Beqirit, kaluar një prej vartëseve të tij…janë vendosur sekuestro për automjete, ndërsa pritet që edhe përgjatë këtyre ditëve, për masat e sigurisë s’do ketë ndërprerje dhe vijon hetimi pasuror".



