
Kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras kanë gjetur gjuhë të përbashkët për një opsion si zgjidhje e mundshme për çështjen e emrit. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe shefi i qeverisë së Shkupit gjatë takimit në Sofje me homologun e tij grek.
Zaev tha se një opsion është i pranueshëm për të dyja palët dhe se tani mbetet që për këtë opsion të konsultohen faktorët e tjerë politikë dhe qytetarët e të dyja vendeve.
Por një zgjidhje e padëgjuar deri tani në kontestin disavjeçar rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë ka filluar të dëgjohet.
“Ilindenska Republika Makedonija” është zgjidhja e dakorduar dhe e pranuaeshme që fshihet pas delaratës së sotme të kryeministrit Zoran Zaev ne Sofje, kur tha se ekziston një zgjidhje e pranueshme për te dyja palët.
Këtë për gazetën KOHA e pohojnë burime diplomatike në Shkup, që dëshirojnë të mbeten anonime. Kjo zgjidhje kompromisi duhet të marrë dritë jeshile edhe nga opozita e të dyja vendeve.
Këto konsultime i paralajmëroi edhe kryeministri Zoran Zaev në konferencën për gazetarë pas përfundimit të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje. Për momentin nuk ka konfirmim zyrtar për këtë zgjidhje të mundshme të dakorduar mes dy kryeministrave Zaev dhe Cipras, as nga autoritetet në Shkup, e as nga ato në Athinë.



