Floresha Rasha e rikthyer nga kampi famëkeq në Siri, Al-Hol, ka dhënë shpjegimet e para për hetuesit e njësisë Antiterror. Marrja e dëshmisë së Floreshës është bërë një muaj pasi ajo u kthye nga Siria, bashkë me fëmijët e saj të mitur. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, gruaja është pyetur mbi cilësinë e dëshmitares për mënyrën se si ka ikur në Siri dhe për jetesën në kampin Al-Hol.
Ndërkohë, edhe fëmijët e Floreshës janë marrë në pyetje nga hetuesit e Antiterrorit, në praninë e një psikologie. Kujtojmë që Floresha Rasha shkoi në Siri 6 muaj pas bashkëshortit të saj Diamant Rasha, i cili iu bashkua ISIS dhe më pas u vra duke e lënë të vetme gruan me djalin Amarin dhe vajzën adoleshente. Më pas ajo u martua me Lavdërim Muhaxherin, i njohur si “Kasapi i Kaçanikut”. I cilësuar si kryeterroristi shqiptar i ISIS, Muhaxheri u vra me dron nga forcat amerikane në vitin 2017. Përgjatë tri viteve martese me Muhaxherrin, Floresha solli në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
Djali i ardhur në jetë në vendin e luftës nuk mundi të jetonte, pasi lindi me probleme dhe ndërroi jetë shpejt. Pas vrasjes së Lavdërimit, Floresha u martua sërish. Këtë herë me një luftëtar sirian. Solli në jetë një tjetër vajzë. Jeta i rezervoi një dramë të rëndë gruas. Në rrethimin e Bagusit, asaj i vritet burri i tretë dhe vajza e madhe, të cilën e kishte me Diamant Rashën ndërsa Floresha mbeti e plagosur rëndë. Vajzën e sapolindur ia rritën “motrat”. Më 27 tetor, Floresha dhe 3 fëmijët e saj prekën tokën shqiptare. Tashmë Floresha Rasha do të hetohet nëse ajo ka qenë e përfshirë për 7 vite në Al-Hol në akte terrori apo jo.



