Studiuesi Olisi Jazexhi në MCN Live ka ngritur akuza dhe dyshime në lidhje me sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë në vitin 2022, ku u diskutua edhe për marrëdhëniet Shqipëri–Izrael dhe rolin e Iranit në rajon.
Ai ka vënë në pikëpyetje narrativën zyrtare që ia atribuon sulmet Iranit, duke sugjeruar se mund të ketë pasur faktorë të brendshëm të përfshirë në këtë ngjarje.
Sipas tij, çështja e Iranit është përdorur edhe në kontekst politik ndërkombëtar nga qeveria shqiptare.
Unë dyshoj që të ashtuquajturat sulme të hakerëve iranianë në Shqipëri do jenë bërë nga një dorë e brendshme në Shqipëri. Dhe ashtu sikur thotë Jezu Krishti në Bibël, pema gjykohet nga frutet e saj. Po të shohim kush përfitoi nga sulmet kibernetike në 2022, nuk ishte Irani, por ishin aktorë të tjerë. Rama e përdori sulmin kibernetik iranian për të mbuluar AKSHI-n.
Ai ka komentuar gjithashtu qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në raport me Izraelin dhe Iranin, duke pretenduar se çështja e sigurisë kibernetike është përdorur për pozicionime politike ndërkombëtare.
Në analizën e tij, ai përmendi edhe bashkëpunimin e Shqipërisë me partnerë ndërkombëtarë në fushën e sigurisë, duke përfshirë edhe struktura si Mossad, duke ngritur pretendime për ndikim të huaj në disa operacione dhe projekte.
Jazexhi kritikoi gjithashtu mënyrën e menaxhimit të projekteve të teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, duke thënë se shpesh favorizohen kompani të huaja në vend të ekspertizës vendase.
Shqipëria duhet të mbështetet më shumë te ekspertët e saj në sigurinë kibernetike, sepse është e rrezikshme të delegohen sisteme kaq sensitive te aktorë të huaj.



