
Pas tërmetit gjysma e vendit përfshihet nga shirat dhe rrebeshi dhe stuhitë e fuqishme. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak thotë se sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në qytetin Lezhës me 53.0 mm, Shkodër me 26.0 mm, Tiranë 20.0 mm.
Kjo situatë është shoqëruar edhe me erë të vrullshme deri në 15-18 m/sek.
Nga reshjet e dendura të shiut gjatë mesnatës është përmbytur autostrada Tiranë-Durrës. Mësohet se është bllokuar qarkullimi në këtë aks rrugor. Si pasojë qarkullimi i mjeteve lejohet në aksin tjetër, nga rruga e vjetër Maminas-Vorë.

Po kështu nga moti i keq ka pasur rrëshqitje gurësh edhe në rrugën Milot-Burrel. Në këtë aks rrugor qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm në një krah të rrugës. Nga të dhënat e para bëhet me dije se rrëshqitje gurësh ka deri në tunelin e Shkopetit. Ndërkaq, automjtetet lëvizin vetëm në një krah.
Qytetet që janë prekur më shumë nga shirat dhe moti i furishëm janë Tirana, Fushë Kruja, Lezha, Durrësi dhe Vlora. Katet e para të pallateve dhe shumë nga lokalet e kryeqyteti janë përmbytur. Në shumë qytete të vendit ka pasur edhe mungesë të energjisë elektrike. Në Tiranë, shiu dhe shtrëngatat e erës kanë sjellë bllokim të ndjeshëm të trafikut të kryeqytetit. Në disa zona ka pasur përmbytje të vogla, ndërsa për shkak të erës së fortë ka pasur të rrëzuara në zonën e “21 dhjetorit”. Gjysma e Durrësit mbeti pa energji elektrike.
Ende vijojnë shirat e dendur.




