Policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar dhe një politikan vendas, pasi janë kapur me lëndë narkotike. Mediat e shtetit fqinj raportojnë se personi i arrestuar është Maurizio Agositini, Këshilltari bashkiak i Partisë Lidhja e Veriut, në komunën Mattarello në provincën e Trentos, është arrestuar nga policia italiane së bashku me mikun e tij shqiptar Stefan Dushku.
Në makinën me të cilën ata po udhëtonin e tipit Hyundai Atos, janë gjetur 300 gramë kokainë e pastër, e konfeksionuar në 3 pako dhe me një vlerë në treg prej 60-70 mijë euro.
Arrestimi i tyre u bë pasë një kontrolli të policisë rrugore në autodstradën A22 Trento Jug.
Shqiptari Stefan Dushku rezulton pa një adresë banimi në Itali, por i pajisur me leje qëndrimi të përkohshme.
Menjëherë pas lajmit të arrestimit të këshilltarit të Lidhjes së Veriut, sekretari i kësaj force politike për rajonin e Trentos, Maurizio Fugatti me një deklaratë zyrtare informon se Maurizio Agostini përjashtohet nga radhët e partisë Lidhja e Veriut.



