
Pedagogia Nevila Rama deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se 67.3% e nxënësve në Shqipëri zgjedhin të marrin profesionin e prindërve, apo nxiten nga ata për zgjedhjen e tyre për degën e studimit. Duke vijuar më tej me shpjegimin e saj Rama tha se në 5 vitet e fundit ka një rënie në masën 50% të studentëve që ndjekin shkencat sociale dhe se tregu është i tejmbushur me diploma juridiku dhe ekonomiku. "Në 5 vitet e fundit kemi rënie me 50% të studentëve që zgjedhin degët mësuesi, histori, gjuhët e e huaja, shkencat politike, shkencat sociale. Këtu ka qenë pikënisja e idesë së projektit. Ky fenomen nuk është shqiptar. Në shkencat sociale ka një ulje të numrit të studentëve. Kemi tejmbushje të tregut me diploma ekonomie dhe juridike. Jo gjithmonë përzgjedhja vjen drejtpërdrejt nisur nga mendimi i qartë për atë që i riu do të bëjë, me çfarë do merret apo çfarë profesioni do përfitojë. Në moshën 18-vjeçare kur ata duhet të përzgjedhin, kandidatët për studentë në Shqipëri, vetëm në vitin e fundit në masën 78% mendojnë se çfarë programesh do ndjekin. Pjesa tjetër mund të mendojë pak më parë. Prindërit nuk janë pjesë e kësaj vendimmarrje, dhe nëse janë pjesë i drejtojnë ata gabim. 67.3% e nxënësve zgjedhin të marrin profesionin e prindërve, apo të nxitur nga prindërit".



