Presidenti i Institutit të Mirëqeverisjes, Arben Malaj, shprehet se mungesa e bursës është një penalizim për biznesin shqiptar, që mund të ndikojë edhe në financimin e investimeve të mëdha. Në një intervistë për Tema TV, Malaj u shpreh se, nëse në Shqipëri do të ekzistonte bursa, atëherë nuk do të ishte nevoja e kreditimit, por do kishte persona të interesuar për të marrë pjesë në investim. “Kjo do të ndihmonte edhe në mirëqeverisjen e vendit”, thotë Malaj.
Qeveria shqiptare ka lançuar projektin e investimit 1 miliard euro, ku në partneritet me privatin synon të kryejë disa investime të mëdha në vend. Një prej tyre është edhe ndërtimi i Rrugës së Arbrit, ku qeveria ka dalë garant te banka për shlyerjen e kredisë, për kredinë që ka marrë kompania që ka fituar projektin. Lidhur me këtë, Malaj, u shpreh se bankat tregtare do ta kenë të vështirë financimin e të gjithë projekteve të mëdha ku del garant shteti për shlyerjen e kredive. Kjo sipas tij, pasi shteti në menaxhimin e buxhetit në situata të caktuara shtyn afatin e shlyerjes së detyrimeve dhe kjo do të krijonte ngërç te bankat. “Kjo do të ndihmonte edhe në mirëqeverisjen e vendit”, thotë Malaj.
Lidhur me situatën aktuale në Shqipëri për skemën e PPP-ve, Malaj thotë se qeveria duhet të bashkëpunojë pak më shumë me ndërkombëtarët. I pyetur edhe për rastin e Italisë për incidentin që ndodhi dy ditë më parë, Malaj ia vuri fajin koncesionit.



