Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi për emërimin e Avdulla Hotit si Kryeministër.
Ndërkohë, edhe avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se dekreti është pezulluar.
Ai ka thënë se Kosova nuk po mundet me një qeveri e jo më me dy.
Ditën e djeshme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një konferencë për mediat ka thënë se ka dekretuar Avdullah Hotin, kryeministër të Kosovës.
Kjo do të thotë që nesër nuk mund të mbahet seanca e thirrur nga LDK’ja për në ora 13:00.
Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:
I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;
II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të
përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;
Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.
Vetëvendosje ka dorëzuar dje një kërkesë në Gjykatë Kushtetuese të nënshkruar nga 30 deputetë të grupit parlamentar, që kanë kërkuar që fillimisht të pezullohet vendimi për mandatarin deri në një vendim përfundimtar të Kushtetueses.



