Tre persona janë arrestuar si pasojë e një operacioni anti drogë të zhvilluar në Divjakë.
Bëhet fjalë për Arnold Prifti, Maringlen Prifti dhe Olsi Lala, dy prej tyre vëllezër, ndërsa janë shoqëruar mbi dyshime për pjesëmarrje në këtë grup edhe 10 shtetas të tjerë.
Si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda speciale, për rreth 6 muaj, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë së një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, që vepronte në Divjakë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, finalizuan operacionin “Zona”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit Arnold Prifti, 30 vjeç dhe Maringlen Prifti 32 vjeç, vëllezër; u ekzekutua urdhri i Prokurorit, për ndalimin e shtetasit Olsi Lala, 31 vjeç;
Gjithashtu nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. Rr dhe S. B., më parë, gjatë periudhës hetimore, është vënë në pranga shtetasi E. T.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, të organizuar si grup me organizatorë shtetasit A. P. dhe M. P., shitnin doza të lëndës narkotike Kokainë, në Divjakë.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të individualizuar përgjegjësinë penale të 10 shtetasve të shoqëruar, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë pjesëtarët e grupit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.



