Një zë që thjesht i shtohet orkestrës së propagandës qeveritare e cilësoi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Ervin Resuli, reagimin e ish-zv.kryeministrit Erion Braçe për problematikën me bostanoret. Në studion e lajmeve të MCN TV, përmes një lidhjeje Skype, Resuli tha se fermerët e kanë ngritur zërin prej 5 vjetësh për prodhimin që u shkon dëm për shkak të mungesës së tregut. Lidhur me këtë të fundit, ai tha se shteti duhet të krijojë hapësirat për të orientuar prodhuesit drejt tregjeve të huaja.
Është diversion që ai bën pasi është mandatuar tre herë nga ajo zonë. Fermerët kanë prej 5 vjetësh në rrugë. Kanë ngritur zërin në mënyrë të vazhdueshme. Ne sot prodhojmë dhe nuk shesim dot. Zoti Braçe vjen gati në sinkron me orkestrën e propagandës qeveritare që e sheh bujqësinë si histori suksesi. Në këtë orkestër ai bën rolin e një vegle shtesë.
Askush nuk kujtohet për fermerët që paguajnë taksat për të paguar pagat, përfshirë edhe atë të zotit Braçe.
Është për të ardhur keq situata në të cilën gjendemi, pasi trumbetohet fort nga qeveria, por situata është ndryshe. Që të shesësh p.sh. shalqirin, duhet një organizim shtetëror. Shteti është ai që të krijon hapësirat, reklamën apo PR që blerës të huaj t’i drejtohen Shqipërisë dhe le të themi jo Greqisë apo Turqisë për bostanoret.



