
Autoritet bullgare u kanë lënë afat 72 orë kohë dy diplomatëve rusë, të cilët mendohet se bënin rolin e spiunit. Mediat e huaja shkruajne se ata u dëbuan pasi i dërgonin informacione sekrete ushtarake Rusisë.
Vetëm pak ditë më parë, Bullgaria tha se kishte shkatërruar një grup spiunazhi që i dërgonte informacione Rusisë.
Prokurorët thanë se gjashtë persona, përfshirë ish-oficerë të inteligjencës dhe oficerë të tanishëm ushtarak, ishin akuzuar për dërgimin e informacionit të klasifikuar në lidhje me Bullgarinë, NATO dhe BE-në në Ambasadën Ruse në Sofje.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë i shpalli diplomatët rusë të padëshiruar “persona non grata” më 22 mars sepse ata kishin kryer “aktivitete që nuk janë në pajtim me statusin e tyre diplomatik”.
Ambasada Ruse në Bullgari e quajti vendimin “të pabazë” dhe tha se Moska “rezervon të drejtën e hakmarrjes”. Bullgaria ka lidhje të ngushta kulturore, historike dhe ekonomike me Rusinë. Moska është partneri kryesor energjetik i vendit. Por, raportet mes dy vendeve janë lëkundur nga disa skandale spiunimi në vitet e fundit. Bullgaria është vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.



