Diplomati Leonard Demi thotë se bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë mund të finalizohen në tryezë vetëm pas fitores në terren. Në një analizë në studion e lajmeve të MCN TV, Demi tha se NATO është e vendosur të mos lejojë Rusinë të pushtojë Ukrainën, gjë që do të krijonte precedentë në Europë.
Që të arrihet paqja duhet të fitohet në terren. Ukrainën po e ndihmon NATO dhe të gjitha vendet anëtare. Sot po qarkullon ideja për të filluar bisedimet për paqen. Që të mbarojë lufta në tavolinë, duhet që fitorja të jetë në terren.
Implikimi më i madh është se, nëse NATO do të lejojë Rusinë të pushtojë Ukrainën, do të thotë të fitojë agresioni. Agresione të tilla do të pasojnë. Aleanca dhe vendet demokratike janë bërë njësh. NATO po e ndihmon Ukrainën të anëtarësohet. Dera e NATO mbetet e hapur për vendet e Europës Lindore.
Demi theksoi se samiti i NATO-s dha mesazhin se aleanca është më e bashkuar se kurrë.
Mundësi reale për të forcuar sigurinë në Europë, aleanca shembullin e dha në Madrid. Aleanca është e gatshme t’i pranojë të gjitha vendet që janë në gjendje të arrijnë nivelin. Për ne e rëndësishme është të pranohet Bosnja. Aleanca është më e bashkuar dhe më unike se kurrë më parë, që pas Luftës së Ftohtë. Ky samit e dha këtë mesazh.
Demi tha se problemet që herë pas here ka pasur Aleanca janë zgjidhur.
Në aspektin e përgjithshëm qëkur është krijuar aleanca ka pasur probleme. Greqia dhe Turqia arritën t’i qetësojnë problemet e tyre. Turqia është nga vendet më të armatosura dhe anëtare e aleancës. Aleanca dënoi terrorizimin në Turqi dhe është e gatshme të ndihmojë. Franca është për forcimin e institucioneve të BE, ndërsa Gjermania për zgjerimin e BE-së. Është e vërtetë që mes të dy vendeve ka edhe probleme të tjera në industrinë e mbrojtjes. Por mes të dy vendeve ka një traktat të miratuar. Nëse politika e jashtme e Gjermanisë ka tre shtylla, një prej tyre është bashkëpunimi franko-gjerman.



