Gjatë një aktiviteti në Vlorë, ku një prej organizmave më të njohur të Shoqërisë Civile në qytet, Lëvizja “Për Vlorën” i është bashkuar LSI-së, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj ka komentuar punimet publike në qytetin e Vlorës.
Në aktivitet kanë qenë të pranishëm përveç Shezai Rrokaj edhe Petrit Vasili, Flamur Çelaj ,Vasil Bedinaj dhe një prej drejtuesve të Shoqërisë Civile Ervin Sota.
Profesori Shezai Rrokaj i cili është dhe i deleguari i LSI-së në qytetin e Vlorës ka folur me nota të ashpra mbi situatën aktuale në qytetin e Vlorës. Ai është shprehur se Vlora nuk ka marrë vëmendjen e duhur duke nisur nga infrastruktura, ku rrugët e qytetit janë si ato në Kandahar dhe deri te deti, ku Vlora ndryshe nga Durrësi nuk ka as port turistik dhe as tregtar.
Rrokaj ka shtuar se pa paragjykuar tenderimet, asnjë prej firmave që punojnë aktualisht nuk janë nga Vlora, madje as punonjësit nuk janë nga ky qytet, ndërsa mbi 2000 mjete që kanë qenë në punë për ndërtimin e Rrugës se Kombit sot janë pa punë. Ndërkohë sa i përket afrimit të Shoqërisë Civile te LSI, Rrokaj është shprehur se politika ka nevojë për integrimin e duhur nga Shoqëria Civile dhe veçanërisht në Vlorë, që ka një nevojë shumë të madhe për t’u dëgjuar. / MAPO /



